Shoqata humanitare BAMIRSIA 2018 (SHHB 2018) është organizatë autoktone, e cila burimin e saj e ka nga vetë populli shqiptar, me qëllim për t’i shërbyer vetë popullit. Veprimtaria e saj bazohet në filozofinë: nga populli në popull. Shumë të rinj intelektualë nga trojet shqiptare janë bashkuar për të ndërtuar një organizatë „ndryshe“ nga të tjerat, në të analizuarit, qasjes dhe filozofisë.
SHHB 2018 është organizatë e pavarur dhe apolitike. Baza e filozofisë së të vetë-kuptuarit është që në qendër të vëmendjes të jetë NJERIU i cili, në trojet ku jetojmë është duke vuajtur për gjërat më elementare për jetë, të cilat paraqesin të drejtat dhe nevojat kryesore të një qenie humane: ushqimi, strehimi dhe edukimi. Për këtë arsyje asnjë përfitues, aktivist, anëtar i rrjetit, anëtar i kryesisë së Qendrave, donator, bashkëpunëtor etj., nuk lejohet të përjashtohet për shkak të prejardhjes, kulturës, moshës, gjinisë, racës, pikëpamjeve politike dhe religjioze, apo edhe aftësive të tij të kufizuara.
Anëtarët e SHHB 2018 bashkohen pikërisht në këto qëllime, që të solidarizohen me njerëz, të cilët për shumicën e popullatës në trojet shqiptare, sidomos në Shkup dhe Kumanovë, janë të padukshëm. SHHB 2018 i ka vërë vehtes synim që të jetë avokatja e kësaj shtrese të shoqërisë dhe gjithashtu të jetë zëdhënësja dhe promovuesja e gjendjes së tyre, me qëllim të sensibilizimit të shoqërisë së gjerë shqiptare, për gjendjen e vëllezërve dhe motrave të tyre, pra bashkombasve të tyre. Për këtë gjë, SHHB 2018 është organizatë e hapur, në të cilën bashkohen anëtarë dhe grupe njerëzish nga të gjitha trojet shqiptare, si Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës. Me punën e saj serioze dhe profesionale, SHHB 2018 në qendrat e saj në diasporë ka arritur të sigurojë anëtarë dhe partnerë joshqiptarë, si gjermanë, zvicerian, turq etj.
Të gjitha qendrat që veprojnë në kuadër të SHHB 2018 janë të regjistruara në shtetet ku veprojnë, funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe posedojnë Kuvendet, kryesitë, anëtarësitë dhe statutet sipas akteve ligjore të shteteve ku ato veprojnë.